Zhvillimet kryesore në tregun e sigurimeve!
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë zhvilloi të premten, një komunikim për mediat, për të komentuar zhvillimet kryesore të tregut dhe sfidat për vitin 2025. Kryetari i Shoqatës, Kadri Morinaj, tha se ky vit ka nisur me një zhvillim të rëndësishëm për tregun: diferencimi i primeve për kategorinë e autoveturave bazuar në faktorët e riskut. Sipas tij, ky zhvillim ka në themel kujdesin ndaj klientit, por dhe qëndrueshmërinë e tregut.Sipas tij, shoqëritë e sigurimit e kanë mirëpritur këtë skemë të re të llogaritjes së primit mbi bazën e faktorëve të riskut, që aplikohet prej vitesh nga shoqëritë homologe në Europë.
Z. Çitozi, u shpreh se ligji i vitit 2021, kishte në thelb të tij mbrojtjen e konsumatorit dhe tarifimin sa më të drejtë të individit. Sipas tij, u rrit niveli i dëmshpërblimit për të dëmtuarit nga aksidentet rrugore çdo vit. Në vitin 2025 ky nivel ka shkuar në 28 milionë nga 20 milionë që ka qenë para katër vitesh. Është rritur transparenca ndaj publikut dhe shpejtësia e pagesës së dëmeve. Sipas këtij ligji, ndryshoi rregullorja e përllogaritjes së dëmeve, duke ndryshuar koeficientët dhe duke bërë që dëmet e paguara të rriten. Me ligjin e ri, edhe të dëmtuarit nga mjetet e pasiguruara, tashmë mund të aplikojnë për dëmshpërblim tek kompania e tyre e sigurimit.
Ndryshimi kryesor në rregullore ishte tarifimi sa më i drejtë i klientëve, bazuar në disa faktorë risku, siç janë kubikazhi, mosha e automjetit dhe drejtuesit, historiku i dëmeve (i cili do aplikojë jo vetëm penalitete, por dhe bonuse, një ulje të primit me 5% vitin që vjen), duke sjellë kështu një drejtësi të munguar për klientët.
Rritja e transparencës në këto vite, ka bërë që dëmet të paguhen. Lidhja e sistemit të dëmeve me AMF, bën që ne të jemi në kontroll të vazhdueshëm nga AMF, duke krijuar kështu edhe një databazë qendrore të dëmeve. Kjo është edhe në vazhdën e digjitalizimit që po aplikohet në këto vite.
Para disa vitesh, kompanitë e sigurimit ndryshuan tarifat për Kartonin Jeshil në Malin e Zi dhe më pas në Maqedoni, duke e ulur atë nga 40 Euro në 15 Euro. Duke pasur një databazë të saktë dhe të mjaftueshme, do të bëhet edhe tarifimi sipas riskut që ato prodhojnë.
Kështu, digjitalizimi shumë i mirë dhe databaza e saktë, lidhja me AMF dhe DPSHTRR në kohë reale, do të kemi mundësi që të tarifojmë klientët në mënyrë më të drejtë, në bazë të riskut që paraqesin.