Vienna Insurance Group raporton rritje të fitimit para taksave me 10.5% në gjysmën e parë të vitit 2025
Grupi më i madh vjenez i sigurimeve, Vienna Insurance Group, i pranishëm edhe në Shqipëri, përmes kompanisë Sigma, ka raportuar rezultate shumë pozitive financiare për 6-mujorin e parë të vitit 2025.
“Në gjysmën e parë të vitit 2025, ne edhe një herë arritëm rezultate të forta. Zhvillimi pozitiv gjatë gjashtë muajve të parë, me rritje të primeve dhe fitimit, nënvizon se jemi të pozicionuar në mënyrë ideale në Evropën Qendrore dhe Lindore. Kapitalizimi ynë i shkëlqyer na lejon të shfrytëzojmë mundësitë tërheqëse të rritjes në tregjet tona”, u shpreh Hartwig Löger, CEO i Vienna Insurance Group.
Rritje e dukshme e primeve të shkruara bruto në të gjitha linjat dhe segmentet
Një total prej rreth 8.57 miliardë euro prime bruto të shkruara u gjenerua në gjysmën e parë të vitit 2025, që përfaqëson një rritje të konsiderueshme prej 8.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të gjitha linjat e biznesit shënuan rritje, me normat më të larta në sigurimet e jetës pa pjesëmarrje në fitim (+32.7%) dhe sigurimet e jetës të lidhura me njësi apo indekse (+26.4%). Sigurimi shëndetësor me (+15.0%) dhe sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike (+12.5%) gjithashtu patën rritje dyshifrore.
Brenda segmenteve, pati rritje dyshifrore në tregjet speciale me 19%, ku kryesues ishte Turqia (+23.8%), ndjekur nga Polonia (+15.2%), si dhe në Evropa Qendrore dhe Lindore (+10.1%), ku Rumania (+14.4%) dhe shtetet baltike (+10.7%) dhanë kontributin më të madh. Primet u rritën gjithashtu me 6.7% në Republikën Çeke dhe 5.2% në Austri.
Rritje e ndjeshme e të ardhurave nga shërbimet e sigurimit
Të ardhurat nga shërbimet e sigurimit u rritën në rreth 6.4 miliardë euro (+8.1%). Kjo rritje erdhi kryesisht nga rritja e sigurimeve të pronës dhe aksidenteve në Evropën Qendrore dhe Lindore (veçanërisht Sllovaki, Bullgari, Rumani, Shtetet Baltike, Kroaci dhe Serbi) dhe në tregjet speciale (kryesisht Turqia).
Rritet me 10.5% fitimi para taksave
Fitimi para taksave u rrit në 531.4 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2025, një rritje e ndjeshme prej 10.5% krahasuar me një vit më parë. Kjo u mbështet pjesërisht nga rënia e pagesës së dëmeve, për shkak të ndodhjes së më pak ngjarjeve të marrjes në sigurim. Rezultatet në segmentin e Polonisë (+51.3%) dhe Republikës Çeke (+18.4%) kontribuan më së shumti në këtë rritje. Kthimi vjetor nga kapitali (ROE) u rrit nga 16.4% në fund të vitit 2024 në 18.9%.
Raporti i kombinuar neto u përmirësua ndjeshëm
Raporti i kombinuar neto për gjysmën e parë të vitit 2025 u përmirësua në 91.9% (gjysma e parë e 2024: 93.3%), për shkak të kostove dukshëm më të ulëta nga dëmet e shkaktuara nga moti dhe katastrofat natyrore krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Segmentet e Republikës Çeke (90.3%, -4.3 pp) dhe Polonisë (90.6%, -4.2 pp) patën zhvillimin më pozitiv.
Rritje e marzhit të shërbimeve kontraktuale (CSM)
Marzhi i shërbimeve kontraktuale, që përfshin kryesisht sigurimet afatgjata të jetës dhe shëndetit, arriti në 6 miliardë euro më 30 qershor 2025 – një rritje prej 8.9% krahasuar me vitin e kaluar.
Raporti i mjaftueshmërisë financiare (solvency ratio) mbetet i lartë
Raporti i qëndrueshmërisë financiare i Grupit mbetet në një nivel shumë të lartë në fund të gjysmës së parë të vitit 2025, duke arritur në 278% (duke përfshirë masat tranzitore). Grupi vazhdon të tregojë një nivel shumë të lartë kapitalizimi.
Portofoli i përgjithshëm i investimeve u rrit
Më 30 qershor 2025, portofoli i përgjithshëm i investimeve ishte 45.6 miliardë euro (fundi i 2024: 44.6 miliardë euro). Rritja prej 2.3% erdhi kryesisht nga investimet më të larta në portofolin e obligacioneve dhe rritja e vlerës së fondeve të investimeve.
Rezultati i vitit pritet në kufirin e sipërm të intervalit
Duke u bazuar në performancën e shkëlqyer të Grupit në gjysmën e parë të vitit 2025, menaxhmenti i Vienna Insurance Group pret që fitimi para taksave të jetë në kufirin e sipërm të intervalit 950 milionë – 1 miliardë euro për vitin financiar 2025.