Vienna Insurance Group shënon vit historik 2025, 16.3 miliardë euro prime dhe fitim record
Grupi i sigurimeve Vienna Insurance Group (VIG) ka regjistruar një vit shumë të suksesshëm financiar gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje të fortë në primet e sigurimit dhe një zgjerim të ndjeshëm të fitimit. Sipas rezultateve paraprake të publikuara më 12 mars 2026, vëllimi i primeve bruto të shkruara arriti në 16.3 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 7.1% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga shërbimet e sigurimit u rritën në 13.2 miliardë euro, me një rritje prej 8.7%, ndërsa fitimi para tatimit arriti në 1.16 miliardë euro, ose 31.7% më shumë se në vitin 2024.
Raporti neto i kombinuar u përmirësua në 90.1%, duke u ulur me 3.3 pikë përqindje, çka reflekton një menaxhim më efikas të kostove dhe dëmeve. Në të njëjtën kohë, grupi ruajti një pozicion shumë të fortë kapitali, me një raport solvabiliteti prej 296%.
Falë këtyre rezultateve, Bordi Drejtues i VIG ka propozuar rritjen e dividendit për aksion nga 1.55 euro në 1.73 euro, që përfaqëson një rritje prej 12%.
Gjatë vitit 2025, Vienna Insurance Group arriti për herë të parë në historinë e saj të kalojë pragun e një miliardë eurove fitim para tatimit, duke arritur në 1.161 miliardë euro. Sipas Hartwig Löger, CEO dhe Kryetar i Bordit Drejtues të grupit, ky rezultat i jashtëzakonshëm është mbështetur nga rritja e fortë dhe nivelet e larta të përfitueshmërisë në të gjitha vendet ku operon grupi. Ai theksoi se bazuar në këtë performancë dhe në pozicionin e fortë të kapitalit, është propozuar rritja e dividendit për aksionerët në 1.73 euro për aksion. Löger shtoi gjithashtu se blerja e planifikuar e kompanisë Nürnberger pritet të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të fitimit dhe në forcimin e diversifikimit të portofolit të grupit.
Rritja e primeve gjatë vitit 2025 është mbështetur nga performanca pozitive në të gjitha segmentet dhe linjat e biznesit. Ndër tregjet me rritjen më të fortë përmenden Polonia me një rritje prej 10.7%, rajoni i Evropës Qendrore dhe Lindore të zgjeruar me 9.2%, Republika Çeke me 8.2% dhe Austria me 4.6%. Brenda segmentit të Evropës Qendrore dhe Lindore të zgjeruar, kontribut të rëndësishëm dhanë Kroacia me rritje 12.9%, Rumania me 9.3% dhe Hungaria me 8.4%.
VIG operon prej shumë vitesh edhe në Shqipëri, përmes shoqërisë Sigma Vienna Insurance Group, e cila pati gjithashtu një performancë shumë të mirë në 2025, me rritje mbi mesataren e tregut të sigurimeve.
Rezultatet e vitit 2025 konfirmojnë strategjinë e grupit për zgjerim në tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke konsoliduar pozicionin e Vienna Insurance Group si një nga grupet më të mëdha të sigurimeve në këtë rajon dhe duke krijuar një bazë të fortë për rritje të mëtejshme gjatë vitit 2026.
Publikuar online më 12.03.2026 në Ekofin Media, klik link:
Vienna Insurance Group shënon vit historik 2025, 16.3 miliardë euro prime dhe fitim rekord - Ekofin
Artikujt e fundit