Intervistë me Klaidi Çitozi, CEO i “Sigma Vienna Insurance Group”
Megjithëse ekonomia shqiptare ka njohur rritje dhe janë të pranishme grupe të fuqishme ndërkombëtare, tregu i sigurimeve vijon të mbetet ndër më të pazhvilluarit në Europë. Me më pak se 1% të PBB-së, ky treg mbështetet kryesisht te sigurimet e detyrueshme, ndërsa sigurimet vullnetare kanë mbetur në hije.
Në një intervistë për “Monitor”, Klaidi Çitozi, CEO i “Sigma Vienna Insurance Group”, shpjegon se kombinimi i të ardhurave të ulëta, kulturës së kufizuar të sigurimit dhe mungesës së nxitësve për produkte të reja e ka mbajtur sektorin të pazhvilluar. Ai nënvizon se vetëm nëpërmjet edukimit financiar, inovacionit dhe bashkëpunimit më të gjerë mes institucioneve dhe kompanive private, tregu mund të afrohet me standardet rajonale dhe europiane.
Sipas tij, rritja e sigurimeve vullnetare kërkon investim në edukimin e qytetarëve, përmirësim të përvojës së klientit dhe zhvillim produktesh të reja që adresojnë nevojat reale të individëve dhe bizneseve.
Z. Çitozi, si do ta vlerësonit ecurinë e “Sigma”-s gjatë vitit 2024 dhe pjesën e parë të vitit 2025?
Viti 2024 ishte pozitiv për “Sigma VIG”, në një treg që megjithatë mbeti i ngarkuar me sfida. Ne patëm një rritje të primeve mbi mesataren e tregut duke konsoliduar pozitat tona tradicionale, jo vetëm në segmentin e sigurimeve motorike, por edhe në sigurimet e pronës, një segment të cilin e konsiderojmë strategjik për zhvillimin afatgjatë.
Në vitin 2025, tendenca ka vijuar pozitive: rritja e primeve të shkruara bruto është rreth 10%, ndërkohë që tregu në tërësi ka lëvizur me një ritëm më të ulët. Kjo na jep sinjalin se strategjia jonë është e qëndrueshme dhe po na diferencon nga konkurrenca.
Një element tjetër i rëndësishëm është kapitali njerëzor. “Sigma” është në mënyrë të vazhdueshme në proces rekrutimi për të tërhequr staf cilësor dhe për të përforcuar ekipet tona në të gjitha nivelet.
Ne i trajnojmë punonjësit jo vetëm për aftësitë teknike që kërkon industria e sigurimeve, por edhe për zhvillimin e soft skills si komunikimi, menaxhimi i marrëdhënieve me klientët dhe puna në ekip, të cilat janë po aq të rëndësishme për të ofruar një shërbim të shkëlqyer. Ky kombinim i ekspertizës teknike me aftësitë ndërpersonale është një nga faktorët që na ka lejuar të ruajmë performancën e lartë dhe të forcojmë besimin e klientëve.
Cilat janë pritshmëritë për periudhën në vijim?
Presim që viti 2025 të mbyllet me rezultate të mira, me një fokus të qartë në rritjen e sigurimeve vullnetare. Potenciali për këtë është i madh. “Sigma” do të vijojë të fokusohet te përmirësimi i produkteve për sigurimin e shëndetit, produktet për biznesin e vogël dhe të mesëm, si dhe te zhvillimi i produkteve inovative për individët.
Fakti që jemi pjesë e “Vienna Insurance Group” na jep mundësi jo vetëm që të ofrojmë produkte të standardit europian, por gjithashtu që të kemi akses në rrjetin e spitaleve private më të mira në Europë. Gjithashtu, të njëjtën qasje do të kemi edhe në tregun e sigurimeve në Kosovë, ku jemi të pranishëm nëpërmjet degës sonë atje. Edhe në këtë vend ka potencial për të qenë një lojtar kryesor, si dhe për të përmirësuar gamën e shërbimeve që ofrojmë.
Pse tregu shqiptar i sigurimeve vijon të mbetet ndër më të ulëtit në Europë, me më pak se 1% të PBB-së?
Në Shqipëri, raporti i primeve të sigurimit të jo-jetës ndaj PBB-së është rreth 0.9%, ndërkohë që mesatarja europiane për totalin e primeve të sigurimeve është mbi 6%. Ky diferencim i madh lidhet me disa faktorë.
Së pari, niveli i të ardhurave për frymë është ende i ulët krahasuar me vendet e BE-së. Së dyti, kultura e sigurimit është e kufizuar. Qytetarët shpesh e shohin sigurimin si shpenzim dhe jo si instrument për stabilitet afatgjatë.
Një tjetër element ka të bëjë me strukturën e tregut, i cili historikisht është mbështetur kryesisht te sigurimet e detyrueshme. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe zhvillimi i pamjaftueshëm i sektorit më të gjerë financiar në vend, i cili ka kufizuar qasjen dhe përdorimin e instrumenteve financiare moderne, përfshirë sigurimet.
Studime të ndryshme tregojnë se oferta e kufizuar dhe qasja jo e plotë ndaj shërbimeve financiare krijojnë barriera serioze për zgjerimin e tregut të sigurimeve.Ky kombinim faktorësh shpjegon pse Shqipëria mbetet ende në nivele shumë më të ulëta krahasuar me rajonin dhe Europën, pavarësisht pranisë së kompanive ndërkombëtare.
Me rritjen e standardeve të jetesës gjatë 7 – 8 viteve të fundit, qytetarët po bëhen gjithnjë e më kërkues për siguri dhe stabilitet. Ky progres duhet të shoqërohet edhe me zgjedhjen e instrumenteve financiare të përshtatshme, që jo vetëm mbrojnë atë që është arritur, por edhe garantojnë vazhdimësinë e këtij standardi për të ardhmen.
Parimi është i vlefshëm jo vetëm për familjet, por edhe për bizneset – qofshin ato korporata të mëdha, apo ndërmarrje të vogla e të mesme – të cilat duhet të mbrojnë kapitalin, njerëzit dhe projektet e tyre afatgjata.
Gjithsesi, zhvillimi i sektorit të turizmit ka ndikuar indirekt në rritjen e kërkesës për sigurime: numri i automjeteve në qarkullim është shtuar dhe ka krijuar nevojë më të madhe për sigurime; strukturat akomoduese gjithashtu kërkojnë mbrojtje të pasurisë dhe përgjegjësisë; ndërkohë që zgjerimi i kredidhënies ka shtuar nevojën për sigurime të lidhura me kolateralin.
Një tjetër element pozitiv është edhe rritja e pranisë së kompanive të huaja në tregun shqiptar, të cilat sjellin me vete një kulturë të zhvilluar sigurimi.
Ato kërkojnë mbulim për asetet dhe punonjësit e tyre duke futur këtë kulturë në vendin e punës dhe duke ndikuar që gradualisht edhe individët të ndërgjegjësohen më shumë për rëndësinë e sigurimeve personale. Në këtë panoramë, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe qeveria, nëpërmjet reformave ekonomike dhe ligjore duke krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e tregut të sigurimeve.
Si e shpjegoni faktin që hyrja e kompanive të huaja nuk arriti të japë impuls të fortë për diversifikimin e tregut?
Hyrja e grupeve ndërkombëtare ka qenë një zhvillim i rëndësishëm, sepse ka sjellë standarde më të larta shërbimi, një gamë më të gjerë produktesh dhe transparencë më të madhe ndaj publikut. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të sjellë transformimin e pritshëm në treg.
Arsyet janë të shumta. Tregu shqiptar është ende i vogël në volum, dhe produktet inovative kërkojnë një bazë të gjerë klientësh dhe prime më të mëdha që të jenë të qëndrueshme financiarisht. Gjithashtu, situata nuk ka qenë gjithnjë e favorshme për zhvillimin e produkteve të reja. Shpeshherë mungojnë stimujt për sigurimet vullnetare, ndërkohë që sigurimet e detyrueshme dominojnë portofolin e tregut.
Një faktor tjetër është edhe mentaliteti i qytetarëve, të cilët shpesh presin që në rast fatkeqësish natyrore apo emergjencash të mëdha zgjidhja të vijë nga qeveria. Ky perceptim është ushqyer nga tradita prej së cilës vijmë. Në praktikë, asnjë buxhet shtetëror nuk mund të përballojë i vetëm kostot e larta të katastrofave.
Për këtë arsye, individët dhe bizneset duhet të ndërgjegjësohen se zgjidhja afatgjatë nuk është pritja ndaj ndihmës publike, por krijimi i pavarësisë së tyre financiare përmes sigurimeve. Vetëm kështu garantohet një mbrojtje reale dhe e qëndrueshme, e cila nuk varet nga vendimmarrjet apo mundësitë e momentit.
Megjithatë, për “Sigma VIG” kjo ka qenë një mundësi. Si pjesë e “Vienna Insurance Group” – një prej grupeve më të mëdha në Europën Qendrore dhe Lindore – ne kemi pasur mundësinë të sjellim praktikat më të mira ndërkombëtare, të forcojmë kapitalin dhe të ndërtojmë një model biznesi afatgjatë. VIG e sheh Shqipërinë si një treg me potencial të madh në të ardhmen. Pavarësisht sfidave të sotme, rritja ekonomike dhe ndërgjegjësimi gradual financiar krijojnë bazën për një zhvillim të qëndrueshëm.
Për këtë arsye, mbështetja e grupit na ka dhënë avantazhin e qartë për të qenë një faktor i rëndësishëm në transformimin e tregut vendas.Tregu është ende i varur nga sigurimet e detyrueshme.
Çfarë duhet bërë për të rritur peshën e sigurimeve vullnetare?
Është e vërtetë që rreth 70% e tregut shqiptar dominohet ende nga sigurimet e detyrueshme, kryesisht ato motorike. Për të rritur peshën e sigurimeve vullnetare, duhet punuar në disa drejtime të ndërthurura:
Edukimi financiar i klientit. Sigurimi shpesh perceptohet thjesht si një shpenzim i imponuar, ndërkohë që në thelb është një instrument i domosdoshëm për stabilitetin financiar të individëve dhe bizneseve. Qytetarët duhet ta shohin sigurimin jo si kosto, por si një investim për të ardhmen, një mënyrë për të mbrojtur standardin e jetesës dhe për të siguruar vazhdimësinë e tij edhe në momente të vështira. Po ashtu, bizneset, qofshin korporata apo SME, duhet ta kuptojnë se sigurimi është një mekanizëm që u mbron kapitalin, asetet dhe kapitalin njerëzor.
Shërbimi ndaj klientit. Përvoja e klientit është vendimtare. Një klient që merr dëmshpërblimin në kohë dhe në mënyrë transparente fiton besim te kompania dhe e shikon sigurimin si partner të aktivitetit të tij. Për këtë arsye, kompanitë duhet të investojnë në procese të shpejta dhe të thjeshta për menaxhimin e dëmeve. “Sigma” ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim, duke reduktuar kohën mesatare të dëmshpërblimeve dhe duke forcuar komunikimin e hapur me klientët.
Zhvillimi i produkteve të reja. Sigurimet vullnetare mund të rriten vetëm nëse iu përgjigjen nevojave reale të tregut. Kjo do të thotë më shumë lloje produktesh dhe paketa të kombinuara për familjet, si dhe mbulim për rreziqe të reja që lidhen me ndryshimet klimatike apo aktivitetin digjital. Mbështetje institucionale dhe kuadër ligjor nxitës. Përveç përpjekjeve të vetë kompanive, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe qeveria, nëpërmjet politikave stimuluese dhe nismave ligjore që synojnë të rrisin aksesueshmërinë dhe atraktivitetin e sigurimeve për qytetarët dhe bizneset. Në këtë proces, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka qenë një faktor kyç. Nëpërmjet reformave të vazhdueshme dhe forcimit të kuadrit rregullator, AMF ka ndihmuar në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në treg.
Sot, përllogaritja e dëmeve është e aksesueshme publikisht në faqen e AMF-së, çdo individ mund të llogarisë vetë primin e sigurimit, ndërsa koha e trajtimit të dëmeve është ndjeshëm e shkurtuar, falë standardeve të reja të vendosura. Një tjetër dëshmi e këtij progresi është organizimi për herë të parë në Shqipëri i Konferencës Vjetore Globale të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve 2025, një nismë që e pozicionon AMF-në si aktor aktiv jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe rajonal, duke nxitur shkëmbimin e praktikave më të mira dhe harmonizimin me standardet europiane. Ky organizim vjen në një moment të rëndësishëm për tregun shqiptar të sigurimeve, duke mbështetur proceset reformuese dhe integruese, me synim forcimin e institucioneve dhe të sektorit financiar, në përputhje me standardet europiane.
Nëse këto drejtime ecin paralelisht, atëherë pesha e sigurimeve vullnetare në Shqipëri do të mund të afrohej me nivelin e rajonit dhe të BE-së.
Si po ndikojnë ndryshimet klimatike në tregun e sigurimeve?
Ndryshimet klimatike kanë sjellë një rritje të dukshme të rreziqeve natyrore. Përmbytjet, stuhitë apo tërmetet janë bërë më të shpeshta dhe kjo ka dy efekte: rrit kërkesën për sigurime, por edhe rrit barrën mbi kompanitë. Për “Sigma VIG”, kjo është një arsye shtesë për të qenë proaktivë. Po zhvillojmë produkte që adresojnë më mirë këto rreziqe dhe po lobojmë që të rritet ndërgjegjësimi publik. Shqipëria ka nevojë për një strategji kombëtare të menaxhimit të riskut klimatik, ku sigurimet të jenë pjesë qendrore.
Së fundmi është publikuar drafti i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Si e vlerësoni këtë nismë?
Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet është një hap i rëndësishëm për stabilitetin financiar të vendit dhe për mbrojtjen e qytetarëve. Shqipëria është një nga vendet me risk sizmik më të lartë në rajon dhe ngjarjet e vitit 2019 treguan qartë se dëmet financiare mund të jenë kolosale e të papërballueshme vetëm nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, për të qenë një skemë funksionale dhe e qëndrueshme, është thelbësore përfshirja aktive e shoqërive të sigurimit. Kjo për disa arsye, ndër të cilat infrastruktura ekzistuese e kompanive të sigurimit. Ato kanë rrjete shitjeje me agjentë të licencuar, sisteme IT dhe burime njerëzore të specializuara për administrimin e produkteve dhe dëmeve. Përvoja ndërkombëtare tregon qartë se bashkëpunimi publik-privat është çelësi i suksesit.
Modele si ai francez CATNAT, por edhe praktikat në vende si Gjermania, Italia apo Kroacia, tregojnë se shteti ofron garanci dhe instrumente në rast katastrofash të mëdha, ndërsa kompanitë private mbeten mekanizmi kryesor për shpërndarjen e riskut, shërbimin ndaj qytetarëve dhe administrimin e dëmeve. Një model i integruar ku shteti ofron garanci dhe subvencionim për shtresat në nevojë, ndërsa kompanitë private menaxhojnë shitjen, vlerësimin e pagesën e dëmeve dhe risigurimin, do të ishte më i qëndrueshëm dhe më transparent. Nëse krijohet kjo sinergji midis shtetit dhe sektorit privat, skema do të fitojë besimin e qytetarëve, do të jetë e përballueshme për konsumatorin, e qëndrueshme financiarisht dhe do të garantojë që pas çdo fatkeqësie, individët dhe bizneset të kenë një mekanizëm real për t’u ringritur dhe për të vijuar jetën dhe aktivitetin normalisht.