Qershori – Muaji i Jetës: Sigma VIG mbështet dhurimin e gjakut për fëmijët me talasemi
Në Sigma Vienna Insurance Group (Sigma VIG) besojmë se veprimet e vogla mund të bëjnë diferencën më të madhe – sidomos kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve.
Çdo vit, muaji qershor njihet si muaji i dhurimit të gjakut për fëmijët me talasemi, një sëmundje gjenetike që kërkon transfuzione të rregullta gjaku. Për të mbështetur këtë kauzë me rëndësi jetike, stafi i Sigma VIG iu bashkua me krenari nismës në bashkëpunim me Shoqatën e Transfuzionit të Gjakut dhe organizatën humanitare “Fundjavë Ndryshe”.
Në ambientet e zyrës qendrore të Sigma VIG, u krijua një hapësirë e dedikuar për dhurimin e gjakut, duke siguruar kushte të qeta, të sigurta dhe të përshtatshme për çdo vullnetar. Çdo pjesëmarrës plotësoi një pyetësor mjekësor dhe iu nënshtrua kontrollit shëndetësor, për të garantuar dhurim të sigurt dhe përgjegjshëm.
Edhe pse jo të gjithë ishin të përshtatshëm për të dhuruar për shkak të gjendjes shëndetësore apo historikut mjekësor, entuziazmi dhe dëshira për të kontribuar ishin frymëzuese. Ekipi mjekësor u kujdes që çdo dhurues të merrte kujdesin e duhur pas dhurimit dhe hidratimin e nevojshëm. Mesatarisht, çdo vullnetar dhuroi rreth 400 ml gjak, që përbën afërsisht 10% të volumit të qarkullimit të trupit – një gjest i vogël me ndikim të madh jetësor.
Dhurimi i gjakut është një akt i pastër humaniteti. Meqenëse gjaku nuk mund të prodhohet artificialisht, dhuruesit mbeten burimi i vetëm i shpresës për fëmijët që jetojnë me talasemi. Për ekipin e Sigma VIG, kjo nismë ishte më shumë se një akt mirësie – ishte një mundësi për të dhënë jetë, shpresë dhe buzëqeshje atyre që kanë më shumë nevojë.