Faktori i riskut “Historiku i dëmeve”, i cili zbatohet në përcaktimin e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, përfaqëson historikun e dëmeve të të siguruarit dhe merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit.
Bazuar në rregulloren e miratuar nga Autoriteti, nr. 156, datë 19.09.2024, “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, të gjithë faktorët e riskut zbatohen në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e autoveturave të produktit të sigurimit të detyrueshëm motorik, TPL e brendshme.
Faktori i riskut “Historiku i dëmeve”, i cili zbatohet për të gjithë drejtuesit që kanë në pronësi mjete të kategorisë së autoveturave, duke u bazuar në numrin e dëmeve të raportuara, ndahet në tre klasa:
I. Klasa e parë përfshin të siguruarit të cilët nuk kanë raportuar asnjë dëm gjatë vitit, të cilët përfitojnë ulje të primit të sigurimit;
II. Klasa e dytë përfshin të siguruarit me një dëm të raportuar, për të cilët aplikohet rritje në primin e sigurimit, ndërsa
III. Të siguruarit me dy ose më shumë dëme të raportuara gjatë tre viteve të fundit, përfshihen në klasën e tretë, në të cilën aplikohet rritja e primit të sigurimit është edhe më i lartë se në klasën II.
Rregullorja nr. 156, datë 19.09.2024, “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, e miratuar nga Autoriteti, përcakton faktorët e riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e autoveturave të produktit të sigurimit të detyrueshëm motorik, MTPL e brendshme, si dhe metodologjinë e përdorur në aplikimin e këtyre faktorëve.
Bazuar në këtë rregullore, shoqëria e sigurimit, në përllogaritjen e primit të sigurimit, zbaton këta faktorë kryesorë risku:
Historiku i dëmeve. Ky faktor merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit. Një historik pa dëme reflektohet me ulje të primit të sigurimit (përfitim), ndërsa një historik me dëme reflektohet me rritje të primit të sigurimit (penalizim).
Fuqia motorike. Ky faktor reflekton ndikimin e fuqisë motorike në nivelin e primit, ku mjetet me fuqi më të vogël motorike përfitojnë një prim më të ulët sigurimi se mjetet me fuqi më të madhe motorike.
Mosha e të siguruarit. Të siguruarit e grupmoshës 18 – 21 vjeç tarifohen më tepër se të siguruarit e grupmoshave të tjera.
Eksperienca në drejtimin e mjetit motorik. Të siguruarit e ndryshëm nga 18–21 vjeç dhe që kanë eksperiencë drejtimi deri në dy vite tarifohen më tepër se të siguruarit e tjerë.
Përdorimi i mjetit. Mjetet në pronësi të subjekteve tarifohen më tepër se mjetet në pronësi të individëve.
Qarku i regjistrimit të mjetit. Mjetet e regjistruara në qarqet Berat, Dibër dhe Kukës tarifohen më pak se mjetet e regjistruara në qarqet e tjera.
Vjetërsia e mjetit. Mjetet e reja, të prodhuara në vitet e fundit, tarifohen më pak se mjetet e vjetra.
Mund ta kontrollosh tek shoqëria e sigurimit, duke kërkuar pasqyrën e historikut të dëmeve dhe klasën Historiku Dëmeve që të është aplikuar.
Referuar Rregullores nr. 156, datë 19.09.2024, faktori i riskut “Historiku i dëmeve” do të zbatohet si për të siguruarin në emër të të cilit është i siguruar mjeti motorik, ashtu edhe për shkaktarin e aksidentit edhe në rastet kur ai nuk është i shënuar në policën e sigurimit.