SIGMA Vienna Insurance Group në Shqipëri organizoi një aktivitet vullnetar në kuadër të iniciativës globale “Social Active Day”, duke angazhuar rreth 50 punonjës në një aksion të dedikuar për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit në zonën e Liqenit të Prespës. Nën moton “We Care. We Act. We Protect.”, pjesëmarrësit kontribuuan drejtpërdrejt në pastrimin dhe ruajtjen e një prej ekosistemeve më të rëndësishme natyrore në Shqipëri.
Liqeni i Prespës përfaqëson një zonë me vlera të jashtëzakonshme ekologjike dhe biodiversiteti, duke qenë pjesë e një parku ndërkufitar midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ai strehon mbi 1,500 lloje gjallesash, përfshirë specie të rralla dhe të rrezikuara si pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus), çka e bën këtë habitat një pikë kyçe për ruajtjen e biodiversitetit në rajon. Ndjeshmëria e këtij ekosistemi ndaj ndotjes dhe ndërhyrjeve njerëzore e bën të domosdoshëm angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e tij.
Ky aktivitet është një reflektim i qartë i përkushtimit të SIGMA VIG ndaj parimeve ESG (Environmental, Social & Governance), duke integruar përgjegjësinë sociale dhe qëndrueshmërinë në thelb të kulturës së saj organizative. Përmes veprimeve konkrete dhe pjesëmarrjes aktive në komunitet, kompania synon të ndikojë pozitivisht jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar për rëndësinë e ruajtjes së pasurive natyrore.
Për SIGMA VIG, përgjegjësia korporative shkon përtej ofrimit të shërbimeve të sigurimit. Ajo përfshin një qasje të integruar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, mbështetjes së komuniteteve lokale dhe promovimit të një kulture organizative që nxit angazhimin aktiv për çështje me ndikim shoqëror dhe mjedisor.
Përmes nismave si “Social Active Day”, SIGMA VIG dëshmon se suksesi i një biznesi modern ndërtohet mbi vlera të qëndrueshme, bashkëpunim dhe kontribut konkret për një të ardhme më të pastër, më të shëndetshme dhe më të përgjegjshme për të gjithë.