Sigma VIG pati kënaqësinë të ishte një prej sponsorëve të Albania Guitar Festival 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës klasike dhe moderne në Shqipëri, e zhvilluar gjatë periudhës 22 maj – 19 qershor 2026. Festivali solli në vend artistë dhe formacione të njohura nga Gjermania, Austria, Italia, Suedia, Holanda dhe Shqipëria, duke krijuar një urë të vlefshme shkëmbimi kulturor dhe artistik.
Gjatë disa javëve, publiku pati mundësinë të ndjekë koncerte, performanca solistike dhe aktivitete edukative në qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Korçën, Durrësin dhe Rubikun. Programi i festivalit përfshiu artistë të njohur ndërkombëtarisht si Amadeus Duo, Capreulus Duo, Aniello Desiderio dhe interpretime të veçanta që pasuruan skenën kulturore shqiptare.
Si pjesë e angazhimit të saj për të mbështetur kulturën, artin dhe iniciativat që krijojnë vlerë për komunitetin, Sigma VIG kontribuoi në realizimin e këtij eventi ndërkombëtar, duke mbështetur organizimin dhe mikpritjen e artistëve pjesëmarrës. Ne besojmë se investimi në kulturë dhe edukim artistik është një investim në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Përmes mbështetjes së aktiviteteve që promovojnë talentin, kreativitetin dhe dialogun ndërkombëtar, Sigma VIG vijon të kontribuojë në pasurimin e jetës kulturore në Shqipëri.